
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është nderuar me “Çelësin e Qytetit” të Mesquite, gjatë vizitës së tij në Teksas, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas njoftimit të Partisë Demokratike, çelësi iu dorëzua Berishës nga kryebashkiaku i Mesquite, Daniel Aleman Jr., gjatë një ceremonie të zhvilluar në këtë qytet pranë Dallasit.
Aleman e cilësoi “Çelësin e Qytetit” si nderimin më të lartë qytetar që bashkia mund t’i japë një personi. Sipas tij, vlerësimi simbolizon respektin, besimin dhe marrëdhëniet e veçanta mes komunitetit të Mesquite dhe shqiptarëve.
PD bën të ditur se nderimi për Berishën lidhet me kontributin e tij në drejtimin politik të Shqipërisë dhe angazhimin për forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Ceremonia zhvillohet gjatë vizitës së Berishës në SHBA, ku kreu i PD-së ka zhvilluar takime edhe me përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe politikanë amerikanë.
Mesquite ndodhet në zonën metropolitane të Dallasit dhe numëron rreth 150 mijë banorë. Qyteti njihet gjithashtu si “Kryeqyteti i Rodeos në Teksas”.






