Kryeministri Edi Rama ka dhënë më shumë detaje për programin e ri të strehimit, duke zbuluar se objektivi për vitin 2027 nuk është vetëm mbështetja e 4 mijë çifteve të reja me kredi, por në total 7 mijë mundësi strehimi përmes dy skemave kryesore.

Sipas Ramës, 4 mijë çifte të reja do të përfitojnë nga skema e kredive, ndërsa 3 mijë familje të tjera do të mbështeten me subvencionimin e gjysmës së qirasë.

Nga 4 mijë kreditë për çiftet e reja, 2 mijë do të jenë me interes zero për apartamente me vlerë nën 60 mijë euro.

“Për apartamente të vogla për të nisur jetën me një çelës në dorë, ne do të zerojmë kredinë”, deklaroi Rama.

Ndërkohë, 2 mijë kredi të tjera do të jepen me interes 3% për apartamente me vlerë mbi 60 mijë euro.

Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se tavani i të ardhurave të çiftit për të përfituar nga skema do të rritet në 280 mijë lekë në muaj.

Sipas Ramës, kjo politikë synon të mbështesë jo vetëm shtresat në nevojë, por edhe atë që ai e cilësoi si shtresa e re e mesme shqiptare: çifte që kanë punë dhe të ardhura, por nuk arrijnë të përballojnë blerjen e një banese.

Por skema nuk përfundon te kreditë.

Një tjetër program parashikon 3 mijë raste me qira të subvencionuar në masën 50%.

Prioritet në këtë skemë do të kenë çiftet e reja dhe emigrantët që kthehen në Shqipëri dhe plotësojnë kriteret e përcaktuara.

Për qiratë do të vendoset një tavan prej 400 eurosh në muaj. Në rast se një familje përfituese merr një apartament me qira 400 euro, 200 euro do t’i paguajë shteti.

“Nëse ti i plotëson kriteret dhe ke një apartament me qira 400 euro, 200 euro do t’i paguajë qeveria e Republikës së Shqipërisë”, tha Rama.

Duke bërë llogaritë e dy skemave, kryeministri tha se vetëm për vitin 2027 bëhet fjalë për 7 mijë “çelësa”: 4 mijë përmes kredive dhe 3 mijë përmes subvencionimit të qirasë.

“4 mijë çelësat e njërit program dhe 3 mijë çelësat e programit tjetër bëjnë 7 mijë çelësa për vitin 2027”, deklaroi ai.

Rama sqaroi se në këtë shifër nuk përfshihen programet e tjera të strehimit dhe as kreditë e buta që vijojnë për mësuesit, punonjësit e Policisë dhe ushtarakët e rinj.

Programi i ri Kombëtar i Strehimit do të shoqërohet me një ligj të ri, reformimin e strukturave që do ta administrojnë dhe financimin përkatës në buxhetin e vitit 2027.

Sipas Ramës, së shpejti do të publikohen edhe thirrjet për personat e interesuar për të përfituar nga skemat.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu