
Një grabitje spektakolare ka goditur Muzeun Renoir në Cagnes-sur-Mer, në jug të Francës, ku dy persona kanë vjedhur katër piktura të Pierre-Auguste Renoir.
Hajdutët hynë në ambientet e muzeut mëngjesin e së martës, pasi prenë gardhin rrethues. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se më pas ata prenë edhe strukturat që mbanin të fiksuara kornizat e veprave.
Alarmi u aktivizua në orën 05:48 dhe policia mbërriti vetëm pesë minuta më vonë. Por hajdutët kishin nisur arratisjen, duke marrë me vete katër piktura, secila me një vlerë të përllogaritur prej rreth 9 milionë eurosh.
Arratisja nuk shkoi tërësisht sipas planit. Dy prej veprave u braktisën ose u ranë hajdutëve në kopshtin e muzeut dhe u gjetën më pas.

Dy piktura të Renoir mbeten ende të zhdukura: “Portrait of Madame Colonna Romano”, e vitit 1910, dhe “Jeune fille au puits”, e vitit 1886.
Ndërsa “Portrait of Madame Pichon” dhe “Coco Lisant” janë rikuperuar.
Kryebashkiaku Bryan Masson tha se autorët dukeshin të mirëpërgatitur dhe të informuar. Sipas tij, ata mbanin helmeta, doreza dhe pajisje të posaçme, ndërsa kishin me vete mjete elektrike dhe sharrë për të çmontuar veprat.
Hetuesit kanë gjetur gjithashtu dy çanta me zinxhir, të cilat dyshohet se u përkisnin grabitësve.
Muzeu Renoir ndodhet në shtëpinë e fundit ku jetoi mjeshtri impresionist përpara vdekjes së tij në vitin 1919 dhe ruan 12 vepra të piktorit, së bashku me sende personale, fotografi dhe letra.
Grabitja në Francë vjen pas një serie vjedhjesh të bujshme të veprave të artit në Europë, duke rikthyer alarmin për sigurinë e muzeve.






