
Marrëdhëniet mes Britanisë së Madhe dhe Izraelit kanë hyrë në një përplasje të fortë diplomatike, pasi Londra shpalli sanksione të reja kundër vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor dhe Tel Avivi u përgjigj menjëherë me kundërmasa.
Ministri i Jashtëm britanik Ed Miliband njoftoi ndalimin e importeve të mallrave nga vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, si edhe masa të tjera ndaj kompanive dhe individëve të lidhur me zgjerimin e tyre.
Miliband përdori edhe një gjuhë jashtëzakonisht të fortë, duke deklaruar në Parlament se në pjesë të Bregut Perëndimor po kryhet “spastrim etnik” nga ajo që ai i cilësoi “terroristë kolonë”, ndërsa akuzoi qeverinë izraelite se po mbyll sytë përballë dhunës.
Masave britanike do t’u bashkohen edhe dhjetë vende të tjera, mes tyre Franca, Kanadaja, Spanja dhe Polonia.
Përgjigjja e Izraelit ishte e menjëhershme. Ministri i Jashtëm Gideon Saar njoftoi mbylljen e Konsullatës britanike në Jerusalem dhe largimin e përfaqësuesve britanikë nga Qendra Ndërkombëtare e Mbështetjes për Gazën.
Izraeli vendosi gjithashtu t’i japë fund aktivitetit britanik për trajnimin e forcave të Autoritetit Palestinez në Bregun Perëndimor dhe ndaloi hyrjen në vend të 12 shtetasve britanikë.
Mes personave të ndaluar janë deputetët Jeremy Corbyn, Zarah Sultana, Diane Abbott, John McDonnell, Richard Burgon dhe të gjithë pesë deputetët e Partisë së Gjelbër.
Saar e cilësoi qeverinë britanike “armiqësore” ndaj Izraelit dhe akuzoi Londrën për ndërhyrje në procesin zgjedhor izraelit. Ai paralajmëroi se kundërmasa mund të ndërmerren edhe ndaj vendeve të tjera që vendosin sanksione.
Shtetet e Bashkuara ndërkohë distancohen nga vendimi britanik. Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio deklaroi se Uashingtoni nuk do të ndjekë të njëjtën rrugë.






