
Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur të marrë pjesë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, të parashikuar për 9 shtator.
Vendimi është marrë pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së dhe është bërë publik nga shefja e grupit, Jehona Lushaku.
Ajo deklaroi se deputetët e LDK-së do të jenë të pranishëm në seancë dhe do të kontribuojnë për konstituimin e Kuvendit, duke argumentuar se Kosova ndodhet në një moment të rëndësishëm për funksionimin e institucioneve.
“Vendosëm si grup që të marrim pjesë në këtë seancë dhe t’i kontribuojmë konstituimit të Kuvendit, meqë Kosova është në një fazë të rëndësishme për themelimin e institucioneve dhe funksionalitetin e saj”, deklaroi Lushaku.
Ajo bëri thirrje që procesi i konstituimit të Kuvendit të përfundojë dhe institucionet e Kosovës t’i rikthehen funksionimit të plotë.
E pyetur nëse gjatë mbledhjes ishte diskutuar edhe çështja e presidentit të Kosovës, Lushaku tha se kjo temë nuk ishte pjesë e diskutimeve.
“Çështja e presidentit nuk është diskutuar, pasi nuk është temë. Temë është konstituimi i Kuvendit”, deklaroi ajo.
Vendimi i LDK-së vjen në prag të seancës së 9 shtatorit, ndërsa vëmendja politike në Kosovë është përqendruar te përpjekjet për konstituimin e Kuvendit dhe funksionalizimin e institucioneve.






