Tensionet e përfolura mes Erion Veliajt dhe Belinda Ballukut duket se po reflektohen edhe në Bashkinë e Tiranës. Kryebashkiaku Veliaj ka shkarkuar nga detyra nënkryetarin Blendi Sulaj, ndërsa mediat pranë opozitës e paraqesin atë si pjesë të grupit të zyrtarëve të lidhur politikisht me zv.kryeministren Balluku.

Vendimi për largimin e Sulajt është konfirmuar nga Bashkia e Tiranës, por zyrtarisht nuk është bërë publik motivi i shkarkimit.

Sulaj ishte emëruar nënkryetar i Bashkisë së Tiranës në vitin 2025 dhe largimi i tij vjen vetëm pak ditë pas një tjetër lëvizjeje të fortë të Veliajt në drejtimin e institucionit.

Kryebashkiaku i hoqi Anuela Ristanit kompetencat e deleguara për drejtimin e bashkisë, vendim që u pasua nga dorëheqja e saj.

Tashmë në shënjestër ka përfunduar Blendi Sulaj.

Syri.net e interpreton shkarkimin si vazhdim të një “spastrimi të njerëzve të Ballukut” nga Bashkia e Tiranës, duke e lidhur lëvizjen me raportet politike mes Veliajt dhe zv.kryeministres Belinda Balluku.

Megjithatë, deri tani nuk ka një deklaratë zyrtare nga Veliaj, Balluku apo Bashkia e Tiranës që ta lidhë shkarkimin e Sulajt me një përplasje mes dy figurave të rëndësishme të Partisë Socialiste.

Ajo që e bën edhe më të pazakontë situatën është fakti se këto ndryshime po urdhërohen nga Erion Veliaj ndërsa ai ndodhet në paraburgim në Durrës. Pavarësisht se është pas hekurave, Veliaj vijon juridikisht të jetë kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe të firmosë vendime për administratën e kryeqytetit.

Pas Anuela Ristanit dhe Blendi Sulajt, mbetet për t’u parë nëse Veliaj do të firmosë të tjera largime dhe nëse ndryshimet në Bashkinë e Tiranës do ta bëjnë më të dukshme një përplasje të mundshme politike me Belinda Ballukun.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu