Katër vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në vend, ndërsa Forcat e Armatosura dhe strukturat zjarrfikëse po ndërhyjnë nga toka dhe ajri për të vënë flakët nën kontroll.

Sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes, deri në orën 20:00 të 31 gushtit janë raportuar 12 vatra zjarri në të gjithë territorin. Katër prej tyre mbeten aktive, katër janë nën mbikëqyrje dhe katër të tjera janë shuar plotësisht.

Në operacione janë angazhuar 70 efektivë të Forcave të Armatosura dhe tre helikopterë të Forcës Ajrore, krahas forcave vendore.

Një prej zonave ku situata kërkon vëmendje të shtuar mbetet Dajt–Qafë Priskë. Puna për shuarjen e flakëve vazhdon, ndërsa është konstatuar edhe një riaktivizim. Në terren ndodhen 15 zjarrfikës, 9 forca të ADZM-së, 20 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter.

Në Vajkal të Bulqizës, zjarri vijon të përhapet në një sipërfaqe të gjerë me shkurre dhe dëllinja. Për përballimin e situatës janë angazhuar 53 forca, mes tyre 30 efektivë të FA-së.

Një tjetër vatër aktive është në Lundre të Matit, ku flakët vijojnë në një sipërfaqe pyjore. Operacioni po mbështetet nga 20 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter.

Aktive mbetet edhe vatra në Urën e Shtrenjtë në Shkodër, ku ndërhyrja vështirësohet nga terreni i thepisur dhe mungesa e rrugëve.

Ndërkohë, nën mbikëqyrje janë zjarret në Qafë të Helmës në Bulqizë, Qafën e Lugut në Vithkuq, malin e Qukësit në Prrenjas dhe Zhejë të Kurbinit. Në Zhejë u angazhuan tre mjete zjarrfikëse dhe një helikopter, ndërsa aktualisht nuk raportohet vatër aktive.

Janë shuar plotësisht zjarret në Sllatinë të Dibrës, Ballenjë–Martanesh, Bershi–Kurdari–Patinë në Klos dhe malin e Dardhës në Librazhd.

Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Vëmendja kryesore mbetet te Dajti, Vajkali dhe Lundre, për shkak të vijimësisë së zjarreve dhe vështirësive të terrenit.

AKMC dhe strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa forcat operacionale mbeten në gatishmëri për ndërhyrje.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu