Përmbytjet shkatërrimtare në kufirin mes Nepalit dhe Tibetit kanë shkaktuar mbi 750 viktima, ndërsa më shumë se 3 mijë persona rezultojnë të zhdukur. Ekipet e shpëtimit paralajmërojnë se bilanci mund të rritet ndjeshëm, ndërsa rrëshqitjet e reja të dheut kanë krijuar liqene të rrezikshme që kërcënojnë me përmbytje të tjera.

Autoritetet nepaleze konfirmuan se numri i viktimave ka arritur në 734, nga 675 që raportohej një ditë më parë. Në Nepal rezultojnë të zhdukur 2.498 persona, ndërsa 8.186 të tjerë janë shpëtuar.

Në Tibet, televizioni shtetëror kinez CCTV raportoi 16 viktima dhe 546 të zhdukur. Mes personave që nuk janë gjetur ende ndodhen 261 shtetas të huaj nga 23 vende, përfshirë amerikanë, britanikë, indianë, australianë, gjermanë, rusë dhe qytetarë nga disa vende europiane.

Rreth 20 mijë pjesëtarë të forcave të sigurisë janë angazhuar në operacionet e kërkim-shpëtimit. Terreni i thyer, reshjet e vazhdueshme dhe shtresat e trasha të baltës po e bëjnë pothuajse të pamundur mbërritjen në disa zona.

Helikopterët po përdoren për të evakuuar banorët dhe për të dërguar ndihma, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë edhe përdorimin e dronëve. Dhjetëra persona dyshohet se kanë mbetur të bllokuar në tunele hidrocentralesh në veri të Nepalit.

Pamjet e verifikuara nga BBC tregojnë momentin e shembjes së një akullnaje pranë majës Langtang Lirung, më shumë se 7.200 metra mbi nivelin e detit. Sipas shkencëtarëve, shembja shkaktoi një valë të fuqishme uji dhe mbetjesh që u përhap përgjatë lumit Trishuli, duke fshirë fshatra, banesa, rrugë dhe ura.

Por rreziku nuk ka kaluar. Mbetjet e shkëmbinjve dhe dheut kanë bllokuar lumenjtë, duke krijuar liqene të reja artificiale. Një rrëshqitje e zbuluar nga dronët në Tibet ka formuar një liqen të dytë, rreth 2,8 kilometra larg të parit.

Ekspertët paralajmërojnë se çarja e digave natyrore mund të shkaktojë një valë të dytë përmbytjesh. Edhe një përmbytje më e vogël se e para mund të ketë pasoja dramatike, për shkak të dëmtimeve që ka pësuar tashmë territori.

Në zonën e katastrofës pritet të vazhdojnë reshjet të paktën deri të hënën. Kombet e Bashkuara deklaruan se dërgimi i ndihmave është “jashtëzakonisht i vështirë”, ndërsa mijëra familje presin ende lajme për të afërmit e zhdukur.

India dhe Kina kanë dërguar specialistë, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë premtuar 3,6 milionë dollarë ndihmë humanitare. Kjo konsiderohet katastrofa më e rëndë që ka goditur Nepalin në më shumë se një dekadë.

Ekspertët nënvizojnë se ngrohja globale po përshpejton shkrirjen e akullnajave, borës dhe tokës së ngrirë në Himalaje, duke destabilizuar shpatet dhe rritur rrezikun e shembjeve, ortekëve dhe përmbytjeve të menjëhershme.

Burimi: BBC

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu