
Mori fund në Tarragona arratia e Taulant Tomës, shqiptarit 42-vjeçar të njohur nga mediat evropiane si “magjistari i arratisjeve”.
Policia spanjolle e lokalizoi në lagjen Campclar, pas disa ditësh vëzhgimi. Toma kundërshtoi me forcë arrestimin, ndërsa një prej personave që e shoqëronin hodhi në shkurre një pistoletë “Sig Sauer”. Gjatë përplasjes u lënduan dy efektivë dhe një bashkëpunëtor i dyshuar vijon të kërkohet.
Shqiptari kishte dokumente false, ishte ndaluar më parë në Girona për armë e eksplozivë dhe dyshohet se fshihej në Spanjë që prej janarit. Identifikimi u bë edhe nëpërmjet tatuazheve karakteristike dhe një shenje të thellë në faqen e djathtë.
Toma ishte arratisur katër herë nga burgjet në Itali dhe Belgjikë. Në arratisjen e fundit preu hekurat e qelisë, u var me çarçafë dhe ndërtoi një shkallë me bishta fshesash.
Ai ndodhet në burgun Mas d’Enric, në pritje të ekstradimit në Itali, ku duhet të vuajë dënimin që përfundon më 2048.
Burimi: El País, Sky TG24






