
Kroacia ka ngritur alarmin për forcimin e kapaciteteve ushtarake të Serbisë, duke u kërkuar aleatëve perëndimorë të shtojnë presionin politik ndaj Beogradit.
Kryetari i Parlamentit kroat, Gordan Jandrokoviq, deklaroi se Serbia nuk po blen vetëm pajisje mbrojtëse, por edhe armë ofensive. Ai kërkoi që diplomacia kroate t’i informojë më aktivisht partnerët ndërkombëtarë për zhvillimet në rajon.
Shqetësimet e Zagrebit lidhen me modernizimin e shpejtë të ushtrisë serbe dhe veçanërisht me marrëveshjen për blerjen e 12 avionëve luftarakë francezë “Rafale”.
Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, shkoi më tej, duke kërkuar presion të drejtpërdrejtë politik ndaj Serbisë. Ai njoftoi gjithashtu se Kroacia synon të ketë deri në vitin 2030 një ushtri plotësisht të modernizuar.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq iu përgjigj me ironi deklaratave nga Zagrebi, duke nxitur një përplasje të re verbale mes zyrtarëve të dy vendeve.
Marrëdhëniet Kroaci–Serbi vijojnë të mbeten të tensionuara për shkak të trashëgimisë së luftërave të viteve ’90 dhe orientimeve të ndryshme strategjike.






