
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar rregullat e reja për importin e mishit nga Brazili, pasi ky vend u hoq nga lista e shteteve të autorizuara për eksportimin në BE të disa produkteve me origjinë shtazore.
Sipas AKU-së, ngarkesat e mishit të shpendëve dhe gjedhit do të pranohen në Shqipëri edhe nëse mbërrijnë pas 3 shtatorit, me kusht që certifikata zyrtare shëndetësore veterinare të jetë nënshkruar ose lëshuar përpara kësaj date.
Institucioni sqaron se kërkesat e reja nuk zbatohen për eksportet e kryera përpara afatit. Ndalimi për hyrjen e mishit brazilian në vendet e Bashkimit Europian hyn në fuqi pas datës 8 shtator, masë së cilës i është bashkuar edhe Shqipëria.
AKU njoftoi se do të vijojë kontrollet në pikat kufitare për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik.






