
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka prezantuar raportin për gërmimet katërjavore në Zubin Potok, ku janë konfirmuar tri vendndodhje me varreza masive dhe janë gjetur mbetjet mortore të të paktën 23 personave.
Gërmimet janë zhvilluar në fshatrat Kalludër dhe Jabukë, ndërsa kërkimet janë përqendruar te personat e zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë, të cilët ishin banorë të zonës ose ishin parë për herë të fundit aty.
Përfaqësuesi i Komisionit, Kushtrim Gara, deklaroi se mbetjet e gjetura dyshohet se lidhen me rastin e njohur si “Grupi i Intelektualëve”. Bëhet fjalë për 23 qytetarë, kryesisht nga Mitrovica dhe Skenderaj, të cilët u rrëmbyen dhe u zhdukën gjatë luftës.
Sipas Garës, grupi po udhëtonte nga fshati Kotorr i Skenderajt drejt Malit të Zi, kur pjesëtarët e tij u ndaluan ndërmjet fshatrave Kalludër dhe Jabukë.
“Janë rrëmbyer dhe zhdukur rreth datës 19 prill nga forcat ushtarake jugosllave”, deklaroi Gara gjatë prezantimit të raportit.
Hetimet dhe kërkimet janë përqendruar edhe te rasti i familjes Isufi-Peka, katër anëtarë të së cilës dyshohet se u rrëmbyen dhe u zhdukën më 20 prill 1999.
Në prezantimin e raportit mori pjesë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti. Ai kërkoi nga Bashkimi Evropian dhe faktori ndërkombëtar që të shtojnë presionin ndaj Serbisë për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur me Dhunë, të miratuar në Bruksel në maj të vitit 2023.
Kurti kërkoi veçanërisht hapjen e arkivave të Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, e cila, sipas tij, ka kryer masakra në Drenicë dhe në zona të tjera të Kosovës.
“Dosja e kësaj brigade është klasifikuar para 12 vjetësh për një periudhë 30-vjeçare. Kjo do të thotë se do të mbetet e mbyllur edhe për 18 vjet të tjera”, deklaroi Kurti.
Sipas tij, Serbia duhet t’i hapë këto dokumente në vitin 2026 dhe jo të presë deri në vitin 2044. Kurti argumentoi se arkivat ushtarake mund të përmbajnë informacione që ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës.
Procesi i gërmimeve dhe zhvarrimeve në Kalludër dhe Jabukë nisi më 28 korrik 2026 dhe vazhdoi për rreth katër javë.
Në lidhje me këtë rast po hetohen tre persona me inicialet J. R., M. J. dhe M. B. Ata dyshohen për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile” dhe aktualisht ndodhen në paraburgim.
Pavarësisht kërkimeve të zhvilluara gjatë viteve, rreth 1 mijë e 560 persona vijojnë të konsiderohen të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.
Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë ka publikuar gjithashtu një raport paraprak për viktimat e konfliktit. Sipas të dhënave, të paktën 13 mijë e 227 persona janë vrarë, janë zhdukur me forcë ose kanë vdekur si pasojë e luftës gjatë periudhës nga 1 janari 1998 deri më 31 dhjetor 2000.
Publikimi përbën fazën e parë të një databaze institucionale, e cila synon dokumentimin e pasojave njerëzore të luftës dhe krijimin e një burimi të besueshëm për institucionet, familjarët e viktimave dhe studiuesit.






