Premier League nis sot sezonin 2026-2027, ndërsa krahas garës për titullin, kampionati anglez do të sjellë edhe disa ndryshime të rëndësishme në rregullore.

Synimi kryesor është të reduktohen vonesat dhe të rritet ritmi i lojës. Futbollistët do të kenë vetëm pesë sekonda për të kryer rivëniet anësore ose për të rikthyer topin në lojë. Nëse e tejkalojnë këtë kohë, skuadra kundërshtare mund të fitojë zotërimin e topit ose, në raste të caktuara, një goditje këndi.

Ndryshime ka edhe për dëmtimet. Një lojtar që merr trajtim në fushë duhet të qëndrojë jashtë për një minutë, me disa përjashtime, si rastet kur dëmtimi vjen pas një faulli të ndëshkuar me karton të verdhë.

Edhe simulimet e portierëve do të ndëshkohen më fort. Nëse një portier konsiderohet se ka kërkuar ndërprerje taktike duke pretenduar dëmtim, skuadra mund të detyrohet të luajë për një minutë me një futbollist më pak.

Zëvendësimet duhet të kryhen gjithashtu më shpejt. Lojtari që largohet nga fusha do të ketë një limit prej 10 sekondash, ndërsa në rast vonese, zëvendësuesi mund të detyrohet të presë edhe një minutë përpara se të hyjë.

Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me VAR-in. Teknologjia do të mund të ndërhyjë në raste të caktuara kur arbitri ka dhënë gabimisht një karton të dytë të verdhë. Megjithatë, VAR-i nuk mund të kërkojë vetë dhënien e kartonit të dytë nëse arbitri nuk e ka akorduar atë.

VAR-i mund të shqyrtojë gjithashtu një faull sulmues që ka ndodhur përpara një aksioni që përfundon me gol, penallti ose vendim disiplinor.

Sezoni i ri i Premier League hapet në orën 21:00 me përballjen mes Arsenalit, kampion në fuqi, dhe Coventry City.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu