
Situata e zjarreve në vend mbetet problematike. Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 20 vatra zjarri, nga të cilat 9 vijojnë aktive dhe një tjetër mbahet nën monitorim.
Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar 235 forca operacionale dhe 33 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të tyre janë vënë 140 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Situata më e vështirë paraqitet në zonën Gojan–Gjegjan të Pukës, ku era e fortë dhe terreni i thyer po favorizojnë përhapjen e flakëve. Forcat janë përqendruar në mbrojtjen e banesave, ndërsa është kryer edhe evakuimi i banorëve më të rrezikuar. Në operacion janë angazhuar 40 efektivë dhe 3 helikopterë të Forcave të Armatosura.
Në Malin e Milotit, në Kurbin, zjarri vijon aktiv, por për momentin është eliminuar rreziku për banesat. Në terren po punojnë forca zjarrfikëse, ushtarake dhe bashkiake, ndërsa është kërkuar përforcim i mëtejshëm.
Në Dajt është riaktivizuar vatra e zjarrit, por aktualisht nuk rrezikohen zonat e banuara. Operacioni po mbështetet edhe nga një helikopter.
Situatë e vështirë paraqitet edhe në Dukat të Vlorës, ku zjarri në zonën e Shatës është zgjeruar gjatë natës drejt malit. Në terren janë 40 efektivë të FA-së, ndërsa nga ajri po ndërhyjnë dy avionë Air Tractor. Banesat nuk raportohen të rrezikuara.
Në Ballaxhiaj të Memaliajt zjarri është vënë nën kontroll dhe ndodhet larg banesave, megjithëse disa banorë janë evakuuar si masë sigurie.
Vatra të tjera aktive raportohen në Kalivaç, Shtuf, Gjorm të Sipërm dhe Hotolisht, ndërsa zjarri në Lufaj të Mirditës është nën kontroll dhe po monitorohet.






