Shtetet e Bashkuara shtojnë presionin ndaj politikës në Kosovë për t’i dhënë fund krizës institucionale. Departamenti i Shtetit kërkon nga udhëheqësit politikë të bashkëpunojnë dhe të formojnë institucionet në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Ngërçi i vazhdueshëm politik po rezulton në mundësi të humbura për Kosovën”, deklaroi një zëdhënës i DASH, duke kërkuar që prioritet të jenë progresi dhe stabiliteti.

Thirrja amerikane vjen ndërsa PDK-ja dhe Aleanca kanë intensifikuar aksionet kundër bllokimit të Kuvendit. Për të gjashtën ditë radhazi, deputetë të opozitës protestuan para Qeverisë, ndërsa më pas u mblodhën në sallën plenare dhe kërkuan vazhdimin e seancës konstituive.

PDK-ja vendosi në tavolinat e deputetëve të Vetëvendosjes letra me thirrjen për respektimin e Kushtetutës dhe konstituimin e Kuvendit. Opozita kërkon që seanca të thirret çdo 48 orë deri në përfundimin e procesit.

Ndërkohë, deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, paralajmëroi se nëse bllokada vazhdon, aksionet opozitare mund të shndërrohen në protesta masive.

Kriza vazhdon që prej ndërprerjes së procesit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, ndërsa edhe Bashkimi Evropian ka kërkuar zgjidhje të shpejtë, duke paralajmëruar se vonesat mund të ndikojnë në reformat dhe mbështetjen financiare për Kosovën.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu