
Një ngjarje që mund të përfundonte në tragjedi ka tronditur Cattolica-n në Itali. 45-vjeçari shqiptar që dyshohet se futi qëllimisht makinën në ujërat e portit me bashkëshorten italiane brenda është arrestuar nga karabinierët dhe akuzohet për tentativë vrasjeje.
Ngjarja ndodhi pasditen e 19 gushtit në portin e Cattolica në Rimini. Sipas autoriteteve, shqiptari i kishte propozuar bashkëshortes të dilnin me makinë me pretekstin se do të shkonin për të bërë pazar. Gjatë udhëtimit situata precipitoi dhe Volkswagen Golf-i përfundoi në ujërat e portit.
Pasi makina ra në ujë, çifti arriti të dilte nga automjeti. Disa persona që ndodheshin pranë portit u hodhën në ujë dhe i ndihmuan të arrinin në breg. Gruaja u transportua në spital për kontrolle, ndërsa nuk raportohet të jetë në rrezik për jetën.
Menjëherë pas shpëtimit, 45-vjeçari u largua nga vendngjarja dhe u zhduk mes shkëmbinjve, duke vënë në lëvizje karabinierët.
Arratia e tij zgjati vetëm disa orë. Në mbrëmje, forcat e rendit e lokalizuan pranë një zone të pyllëzuar, jo larg banesës së tij në San Giovanni in Marignano. Ai u arrestua dhe u dërgua në burg, në dispozicion të autoriteteve gjyqësore. Akuza ndaj tij është tentativë vrasjeje.
Një ditë përpara episodit në port, shqiptari ishte arrestuar për rezistencë ndaj forcave të rendit, pasi karabinierët kishin ndërhyrë pas një konflikti në familje.





