
Gjykata e Elbasanit ka lënë në burg Poli Boriçin, 52-vjeçarin e akuzuar se tentoi të vriste me armë zjarri Ermir Kërtezin brenda një lokali. Atentati dështoi pasi dyshohet se pistoleta iu bllokua në momentin kur Boriçi ia drejtoi armën në kokë 50-vjeçarit.
Prokuroria kërkoi masën “arrest me burg” për Boriçin, nën akuzat “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje e armëve”.
Gjatë seancës me dyer të mbyllura, 52-vjeçari, përmes avokatit të caktuar kryesisht, mësohet të ketë pretenduar se nuk kishte për qëllim ta vriste Kërtezin, por vetëm ta frikësonte.
Ngjarja ndodhi mesditën e së shtunës në një lokal në Elbasan. Sipas të dhënave të hetimit, Boriçi i drejtoi pistoletën në kokë Ermir Kërtezit, i cili arriti të largohej me vrap. Dyshohet se arma e 52-vjeçarit u bllokua në momentin vendimtar. Boriçi u arrestua nga policia vetëm pak minuta më vonë.
Në dëshminë e parë të dhënë pas arrestimit, Boriçi deklaroi se motivi lidhej me një ngjarje të ndodhur rreth 15 vite më parë. Sipas tij, Kërtezi kishte plagosur vëllain e tij, duke e lënë të paralizuar, dhe ai kishte dashur “të merrte hak”.
Nga ana tjetër, Ermir Kërtezi ka deklaruar para hetuesve se marrëdhëniet mes dy familjeve, të cilat janë edhe fqinje, ishin normalizuar prej vitesh.






