
Vetëm më pak se 40 nga 549 policët e rinj të pranuar në Maqedoninë e Veriut janë shqiptarë. Shifra, që sipas BDI-së përfaqëson rreth 7% të rekrutimeve të reja, ka hapur një debat të fortë për përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore, 25 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit.
Bashkimi Demokratik për Integrim reagoi ndaj të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke e cilësuar nivelin e përfaqësimit të shqiptarëve në radhët e policëve të rinj si shqetësues.
Sipas BDI-së, nga 549 efektivë të rinj të pranuar në polici, më pak se 40 janë shqiptarë.
Partia pretendon se disproporcioni është shfaqur edhe në vlerësimin e efektivëve. Gjatë aktiviteteve për Ditën e Policisë, nga 30 policë të dekoruar si më të mirët, vetëm një ishte shqiptar.
“Policia ishte një nga institucionet kryesore ku Marrëveshja e Ohrit solli ndryshim të thellë në përfaqësimin e shqiptarëve. Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat u vendos si standard kushtetues pikërisht për të siguruar që institucionet shtetërore ta reflektojnë karakterin multietnik të vendit”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Sipas partisë shqiptare, të dhënat e fundit ngrenë pikëpyetje për respektimin e parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në institucionet shtetërore.
BDI argumenton se, 25 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, shifrat tregojnë një kthim prapa në përfaqësimin e shqiptarëve.
Pretendimet e publikuara janë qëndrime të BDI-së dhe në informacionin e bërë publik nuk paraqitet një reagim i Ministrisë së Punëve të Brendshme ndaj akuzave.






