
Prej 14 ditësh, banorët e Divjakës kanë dalë çdo ditë në rrugë me një kërkesë të prerë: Divjaka të mbetet bashki më vete. Protestuesit kundërshtojnë propozimin e reformës së re administrativo-territoriale që parashikon bashkimin e Divjakës me Lushnjën dhe paralajmërojnë se protesta nuk do të ndalet deri në tërheqjen e këtij propozimi.
Me thirrjet “Divjaka Bashki”, qytetarët kanë marshuar në rrugët e qytetit, duke kërkuar pjesëmarrje edhe më të gjerë në protestë.
Kundërshtimi nuk është drejtuar vetëm ndaj reformës. Protestuesit kanë kërkuar publikisht edhe dorëheqjen e kryetarit të Bashkisë Divjakë, Josif Gorrea, duke argumentuar se largimi i tij do të ishte një mënyrë për të mbrojtur dinjitetin e qytetit përballë propozimit për shkrirjen e bashkisë.
Kërkesa u është drejtuar edhe anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Divjakës, të cilët pritet të mblidhen të premten në orën 10:00.
Banorët deklarojnë se nuk do të tërhiqen dhe se protestat do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kërkesës kryesore: ruajtjen e Divjakës si bashki më vete.
Protestat zhvillohen në një kohë kur propozimi për hartën e re administrativo-territoriale ka shkaktuar kundërshtime edhe në bashki të tjera që rrezikojnë të humbasin statusin aktual.






