Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodríguez arritën atë që dukej pothuajse e pamundur: të mbanin larg syve të botës një nga dasmat më të shumëpritura të showbiz-it dhe futbollit. Pas dhjetë vitesh së bashku, çifti kurorëzoi lidhjen në Portugali, por jo aty ku mediat dhe fansat prisnin.

Në ditët para martesës, vëmendja ishte përqendruar në Madeira. Thashethemet se Ronaldo do të martohej në katedralen e Funchalit morën përmasa të tilla sa qindra njerëz dhe përfaqësues të medias u grumbulluan për të parë nga afër superyllin portugez dhe Georginën.

Vetëm se Ronaldo nuk erdhi kurrë.

Në kishë po martohej një çift tjetër, i cili papritur e pa ditën e tij të madhe të rrethuar nga turma që kishte mbërritur aty për CR7. Autoritetet kishtare u detyruan madje të sqaronin se nuk kishte asnjë dasmë të Cristiano Ronaldos të planifikuar në katedrale.

Dhe ndërsa të gjithë kërkonin Ronaldon në Madeira, surpriza ishte diku tjetër.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, Ronaldo dhe Georgina u martuan më 11 gusht në Cascais, pranë Lisbonës, në një ceremoni civile të organizuar me diskrecion maksimal. Në vend të një spektakli me qindra VIP-a, çifti zgjodhi një ceremoni intime, me familjen dhe njerëzit më të afërt.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Cristiano Ronaldo (@cristiano)

Data kishte gjithashtu simbolikën e saj. Pikërisht më 11 gusht 2025, Georgina kishte bërë publike fejesën duke treguar unazën spektakolare me diamant dhe mesazhin: “Po. Në këtë jetë dhe në të gjitha jetët e mia”.

Por historia e pistave të rreme nuk mbaron me Madeira-n. Para ceremonisë kishte qarkulluar edhe pretendimi se Ronaldo dhe Georgina do të martoheshin më 1 gusht në Quinta da Regaleira, në Sintra. Edhe kjo rezultoi një tjetër adresë ku dasma më e kërkuar e verës nuk ndodhi.

Ronaldo kishte dhënë vetëm një të dhënë të rëndësishme muaj më parë: dasma do të bëhej pas Botërorit 2026. Ai e mbajti fjalën, por pjesën tjetër e ruajti për vete.

Martesa kurorëzon një histori që nisi larg luksit që shoqëron sot çiftin. Georgina punonte në një dyqan Gucci në Madrid kur njohu Ronaldon në vitin 2016. Dhjetë vjet më vonë, ajo dhe një prej futbollistëve më të famshëm të historisë u bënë burrë e grua.

Dhe ndoshta detaji më i pazakontë i dasmës së një prej njerëzve më të ndjekur në planet ishte pikërisht ky: ndërsa bota priste spektaklin, Ronaldo dhe Georgina zgjodhën fshehtësinë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu