
Autoritetet shëndetësore në Maqedoninë e Veriut kanë shpallur epidemi të etheve të Nilit Perëndimor në pesë komuna të Shkupit, pas rritjes së rasteve të infektimit nga virusi që transmetohet kryesisht përmes pickimit të mushkonjave.
Epidemia është shpallur në Kisella Vodë, Aerodrom, Gazi Babë, Butel dhe Ilinden. Deri tani 29 persona janë hospitalizuar, ndërsa është regjistruar edhe një viktimë. Bëhet fjalë për një 83-vjeçar, i cili sipas autoriteteve kishte edhe sëmundje të tjera shoqëruese.
Drejtori i Klinikës Infektive, Fadil Cana, deklaroi se disa prej pacientëve vazhdojnë të jenë në gjendje të rëndë. Ai sqaroi se nuk ekziston një ilaç specifik kundër virusit të Nilit Perëndimor dhe trajtimi përcaktohet në varësi të gjendjes klinike të pacientëve.
Ndër simptomat që duhet të ngrenë shqetësim janë temperatura e lartë, dhimbjet e forta të kokës dhe konfuzioni.
Qendra e Shëndetit Publik në Shkup bëri të ditur se shpallja e epidemisë erdhi pas shtimit të rasteve. Autoritetet kanë intensifikuar spërkatjet kundër mushkonjave, veçanërisht në zonën e Draçevës, ku është evidentuar një përqendrim më i madh i rasteve.
Masa të tjera parashikojnë eliminimin e ujërave të ndenjura, të cilat krijojnë kushte të favorshme për shumimin e mushkonjave.
Instituti i Shëndetit Publik u ka bërë thirrje qytetarëve të përdorin produkte kundër mushkonjave dhe të tregojnë kujdes të shtuar në zonat me bimësi të dendur, veçanërisht personat që punojnë në bujqësi.
Autoritetet theksojnë se, pavarësisht shpalljes së epidemisë, nuk ka vend për panik, por kërkohet respektimi i masave parandaluese.






