
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj debatit mes ministrave të Jashtëm të Shqipërisë dhe Serbisë për lumin Ibër, duke i dhënë një përgjigje të fortë Beogradit për Kosovën dhe akuzat për “Shqipërinë e Madhe”.
Në një postim të gjatë në X, Rama ironizon reagimin serb, duke thënë se debati nisi nga çështja e Ibrit, por përfundoi te e drejta ndërkombëtare, “Shqipëria e Madhe”, “Kosova dhe Metohija” dhe, sipas tij, “muzeu i njohur i anktheve historike serbe”.
Kryeministri deklaron prerë se Shqipëria nuk ka asnjë pretendim territorial ndaj Serbisë dhe se nuk i nevojitet ideja e një “Shqipërie të Madhe” për të mbështetur Kosovën.
“Kosova është një shtet më vete. Shqiptarët e Kosovës janë pikërisht të tillë: shqiptarë të Kosovës. Ata kanë Republikën e tyre, institucionet e tyre dhe të drejtën për të përcaktuar të ardhmen e tyre. Ne do të qëndrojmë gjithmonë në mbështetje të kësaj të drejte”, shkruan Rama.
Më tej, kryeministri përdor një nga formulimet më të forta të reagimit të tij:
“Serbia e humbi Kosovën. Përsëritja se nuk e humbi, ndoshta mund ta shndërrojë humbjen në fitore në gjeografinë e imagjinatës politike, por fatkeqësisht hartat janë më pak tolerante.”
Sipas Ramës, territori i Republikës së Kosovës nuk është territor serb dhe burimet natyrore që ndodhen brenda tij nuk janë burime të Serbisë.
Kryeministri rikthehet më pas te çështja që shkaktoi debatin, lumi Ibër. Ai thekson se Ibri është një sistem ujor ndërkufitar dhe se Serbia ka të drejtë të menaxhojë burimet brenda juridiksionit të saj, por nuk mund të pretendojë se pasojat e mundshme për një shtet tjetër përfundojnë në kufirin serb.
“Lumenjtë kanë zakonin e papërshtatshëm të ndjekin gjeografinë dhe jo argumentet diplomatike”, ironizon Rama.
Kreu i qeverisë ndalet edhe te komuniteti serb në Kosovë, duke theksuar se të drejtat, siguria, prona, gjuha dhe trashëgimia kulturore e fetare e tij duhet të mbrohen.
Por Rama e cilëson kontradiktore që Beogradi të paralajmërojë Shqipërinë për “ekspansionizëm etnik”, ndërkohë që, sipas tij, i referohet territorit të një shteti tjetër sovran sikur të ishte ende pjesë e Serbisë.
“Përpara se kufijtë të bëhen më pak të rëndësishëm, ekziston një parakusht i vogël: të pranohen ata që tashmë ekzistojnë”, shkruan kryeministri.
Në përfundim, Rama thekson se Shqipëria kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë dhe integrimin e të gjithë rajonit në Evropë, përfshirë Serbinë, por shton se fqinjësia e mirë nuk mund të nënkuptojë pranimin e versionit serb të historisë nga vendet e tjera të rajonit.
“Ballkani ka paguar tashmë shumë, me gjak dhe me kohë të humbur, për këtë”, përfundon Rama, duke iu rikthyer me ironi debatit fillestar: “Ndërkohë Ibri, krejtësisht i pavetëdijshëm për gjithë hartografinë tonë historike, do të vazhdojë të rrjedhë sipas gjeografisë dhe jo folklorit.”






