
Presidenti amerikan Donald Trump sinjalizon se, të paktën për momentin, nuk synon një përshkallëzim të ri ushtarak me Iranin, ndërsa tensionet mbeten të larta dhe ngushtica strategjike e Hormuzit vazhdon të jetë në qendër të përplasjes.
Në një intervistë telefonike për Axios, Trump tha se SHBA po mban një “profil të ulët” ndaj Teheranit dhe po mbështetet kryesisht te presioni ekonomik.
“Po negociojmë me ta vetëm pjesërisht. Thjesht po vëzhgojmë Iranin”, deklaroi Trump, duke e krahasuar situatën me “një lojë shahu”.
Sipas burimeve amerikane të cituara nga Axios, vetëm një javë më parë presidenti ishte i prirur të rifillonte operacione ushtarake në shkallë të gjerë kundër Iranit, por është bindur të frenojë, të paktën përkohësisht, përshkallëzimin.
Ndërkohë, Teherani këmbëngul se Ngushtica e Hormuzit nuk do të rihapet plotësisht derisa Uashingtoni të pranojë kushtet iraniane. Garda Revolucionare deklaroi se Hormuzi është tashmë një “teatër lufte” dhe se strategjia aktuale është mbajtja e tij të mbyllur derisa SHBA të plotësojë kërkesat e Iranit.
Mes kushteve të paraqitura nga Teherani janë përfundimi i operacioneve ushtarake, heqja e bllokadës detare dhe sanksioneve, zhbllokimi i pasurive iraniane dhe kompensimi për dëmet e luftës.
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka shfaqur ndërkohë një qëndrim më të hapur ndaj një marrëveshjeje, duke deklaruar se ky mund të jetë momenti më i mirë për t’i dhënë fund konfliktit. Sipas burimeve amerikane, brenda udhëheqjes iraniane ka përplasje mes krahut që kërkon marrëveshje për shkak të krizës ekonomike dhe Gardës Revolucionare, e cila kundërshton lëshimet ndaj Uashingtonit.
Në sfond mbetet Hormuzi, një prej korridoreve më të rëndësishme energjetike në botë. Egjipti ka shprehur optimizëm se mund të arrihet së shpejti një marrëveshje e përkohshme për lundrimin, ndërsa ndërmjetësimi diplomatik vazhdon.






