
Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin e koduar “Vila”, duke arrestuar në Palasë një 50-vjeçar të shpallur në kërkim nga SPAK për veprimtari kriminale në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Sipas Policisë, Renaldo Nallbani, 50 vjeç, lindur në Fier, u lokalizua dhe u kap në një vilë në Palasë, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për vendndodhjen e tij.
Operacioni u zhvillua nga Forcat Operacionale të DVP Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier.
50-vjeçari ishte shpallur në kërkim pasi në korrik 2024 GJKKO kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Ai akuzohet për “Pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim dhe në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe për “Kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.






