Situata nga zjarret është rënduar në Mallakastër, ku flakët kanë arritur pranë zonave të banuara. Policia ka evakuuar disa familje në fshatin Koilac, pasi zjarri masiv që ka përfshirë sipërfaqe të mëdha toke po përhapet me shpejtësi.

Sipas Policisë, era e fortë po favorizon avancimin e flakëve drejt banesave, ndërsa zjarri po përhapet edhe në drejtim të fshatrave Hekal, Panahor, Riban dhe Ngraçan.

Në operacion janë angazhuar shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, zjarrfikësit, Forcat Kombëtare të Sigurisë, emergjencat civile dhe struktura të tjera përgjegjëse.

Deri tani raportohen dëme të konsiderueshme në bimësi, ndërsa operacioni vijon për izolimin dhe shuarjen e vatrave. Policia po qëndron në terren edhe për të garantuar sigurinë e banorëve në zonat që mund të rrezikohen nga përhapja e mëtejshme e zjarrit.

Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur hetimet për përcaktimin e shkakut të zjarrit. Po verifikohet gjithashtu nëse flakët janë shkaktuar nga veprime të kundërligjshme dhe, në një rast të tillë, për identifikimin e autorit.

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të mos ndezin zjarre për djegien e mbetjeve bimore apo për qëllime të tjera, veçanërisht në kushtet e erës së fortë, ndërsa kërkon që çdo rast zjarrvënieje të denoncohet në numrin 112.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu