Një dosje e sigurisë së policisë amerikane ka zbuluar nivelin e lartë të kërcënimeve gjatë Kupës së Botës 2026, me Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon mes emrave më të ekspozuar.

Sipas raportimeve të cituara në dokumente, përpara ndeshjes Argjentinë–Jordani, një person telefonoi aeroportin e Dallasit dhe kërcënoi se do të hynte në stadium së bashku me persona të armatosur. Mes objektivave të përmendur ishte edhe Messi.

Një tjetër alarm u regjistrua përpara ndeshjes Argjentinë–Egjipt në Atlanta, kur në rrjetin X u publikua një kërcënim për një sulm në stadium. Autoritetet morën gjithashtu një sinjalizim për mjete shpërthyese në tribuna, duke aktivizuar ekipet e specializuara të sigurisë.

Edhe Cristiano Ronaldo u përfshi në raportet e policisë. Një punonjës i FIFA-s sinjalizoi një person që kërkonte informacione për vendndodhjen e yllit portugez, ndërsa një tifoz arriti të hynte në hotelin ku qëndronte Ronaldo dhe tentoi t’i afrohej. Ai u ndalua nga policia dhe deklaroi se kërkonte vetëm një fotografi.

Presioni nuk u kufizua vetëm te futbollistët. Gjyqtari francez François Letexier raportohet se mori mbi 6 mijë mesazhe kërcënuese në WhatsApp pas ndeshjes Argjentinë–Egjipt, ndërsa edhe gjyqtari i VAR-it Willy Delajod u bë objekt kërcënimesh.

Në shënjestër përfunduan gjithashtu lojtarë të kritikuar për gabime apo vendime gjatë ndeshjeve, mes tyre norvegjezi Alexander Sørloth dhe kolumbiani Jaminton Campaz.

Për shkak të kërcënimeve dhe incidenteve të shumta, masat e sigurisë u përforcuan ndjeshëm në stadiume, hotele dhe qendrat e ekipeve. Raportimet e përshkruajnë Botërorin 2026 si një nga turnetë më të fortifikuar të futbollit, me masa kundër dronëve, barriera sigurie dhe mbrojtje të armatosur.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu