Më 22 gusht përfundon afati gjashtëmujor i hetimit ndaj ish-zëvendëskryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi. Nëse deri në atë datë Prokuroria nuk ngre aktakuzë, masa e arrestit shtëpiak ndaj tij do të pushojë së vlejturi, sipas afateve të parashikuara në ligj.

Sipas mediave në Shkup, prokurori i çështjes ka edhe 17 ditë kohë për të përfunduar hetimin. Në rast se nuk paraqitet aktakuzë, Gjykata Penale pritet të vendosë një masë tjetër sigurie, që zakonisht është konfiskimi i dokumentit të udhëtimit.

Artan Grubi u dorëzua në pikën kufitare Bllacë më 23 shkurt të këtij viti, pas rreth 14 muajsh jashtë vendit. Ai dyshohet për përfshirje në çështjen e Lotarisë Shtetërore, ku hetimet lidhen me një dëm të dyshuar financiar prej 8.2 milionë eurosh.

Në të njëjtin hetim është i dyshuar edhe ish-drejtori i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, i cili vijon të jetë në kërkim, si edhe katër persona të tjerë të dyshuar për shpërdorim detyre në procedurat për organizimin e lojërave elektronike dhe online të fatit.

Prokuroria Publike nuk ka bërë të ditur nëse aktakuza do të ngrihet përpara skadimit të afatit ligjor.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu