Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku takohen të martën në Kuvend. Në qendër të bisedimeve pritet të jetë krijimi i institucioneve të reja dhe sigurimi i votave për presidentin.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, do të takohen të martën në orën 18:00, në ambientet e Kuvendit, për të diskutuar krijimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

Ftesa e Kurtit është refuzuar nga PDK-ja dhe Aleanca. Bedri Hamza përsëriti se PDK-ja do të qëndrojë në opozitë, ndërsa partia e drejtuar nga Ardian Gjini deklaroi se nuk është e interesuar të bëhet pjesë e qeverisë.

Vetëvendosje ka fituar 58 mandate dhe, me votat e komuniteteve joshumicë, mund të sigurojë shumicën prej 61 deputetësh për Kuvendin dhe qeverinë.

Megjithatë, sfida kryesore mbetet zgjedhja e presidentit, për të cilën kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve. Një marrëveshje me LDK-në, e cila ka 18 mandate, do t’u siguronte palëve të paktën 81 vota.

Pikërisht çështja e presidentit pritet të jetë në qendër të takimit Kurti–Abdixhiku, vetëm tri ditë përpara seancës konstituive.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu