
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është liruar nga qelia me vendim të Gjykatës së Posaçme, e cila ka zëvendësuar masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest në shtëpi”.
Vendimi u mor pasi gjykata konstatoi se kanë përfunduar afatet e paraburgimit për dosjen SASPAC. Disa ditë më parë, GJKKO vendosi ta kthejë çështjen në SPAK për plotësim hetimesh, çka solli edhe ndryshimin e situatës procedurale për Beqajn.
Avokati i ish-ministrit deklaroi se mbrojtja nuk do ta ankimojë vendimin, ndërsa theksoi se edhe Prokuroria e Posaçme ishte dakord me masën e “arrestit në shtëpi”. Sipas tij, tani i takon SPAK-ut të ekzekutojë vendimin e gjykatës.
Ilir Beqaj akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv, shkelje të barazisë në tendera, falsifikim dokumentesh, mashtrim me pasoja të rënda, mashtrim në bashkëpunim dhe fshehje pasurie, akuza të cilat ai i ka mohuar. Dosja lidhet me administrimin e fondeve të projektit SASPAC, ndërsa çështja vijon të jetë në fazën e hetimeve pas vendimit të gjykatës për kthimin e saj në Prokurorinë e Posaçme.
Kujtojmë se një ditë më parë edhe i bashkëpandehuri Ermal Kurtulaj u lirua nga qelia dhe u vendos në arrest shtëpie për të njëjtën arsye procedurale.






