
Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku pritet të merret zyrtarisht e pandehur edhe për gjashtë lote të tjera të projektit të Unazës së Madhe të Tiranës, në kuadër të hetimeve të SPAK për shkelje të procedurave të tenderimit.
Më herët, Balluku ishte marrë e pandehur për lotin 4 të Unazës së Madhe dhe për procedurat që lidhen me ndërtimin e Tunelit të Llogarasë. Sipas informacioneve, asaj pritet t’i komunikohet edhe zgjatja me tre muaj e afatit të hetimeve.
Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme vijon hetimet edhe për një procedim tjetër ndaj Ballukut, që lidhet me kohën kur ajo drejtonte shoqërinë “Albcontrol”. Hetimi përfshin akuza për korrupsion dhe pastrim parash në lidhje me dy tenderë me vlerë mbi 1 milion euro.
Sipas SPAK, tenderët dyshohet se janë dhënë në kundërshtim me ligjin dhe ish-zyrtarja dyshohet se ka përfituar ryshfet në formën e një vile në Dhërmi, pasuri e cila është sekuestruar me vendim të Gjykatës së Posaçme.
Paraditen e së premtes, përpara ambienteve të SPAK u mblodh edhe një grup protestuesish, të cilët kërkuan hetimin e Ballukut dhe mbajtën pankarta kundër saj.
Kujtojmë se, sipas ligjit, Belinda Balluku prezumohet e pafajshme derisa fajësia e saj të provohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.






