
Një zjarr me përmasa të mëdha ka rënë pasditen e kësaj të enjteje në zonën e Shkozetit, në Durrës, duke shkaktuar probleme në qarkullimin e mjeteve dhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në qytet dhe në zonën e plazhit.
Flakët janë shoqëruar me tym të dendur të zi, i cili ka mbuluar një pjesë të zonës, ndërsa zjarri vijon të jetë jashtë kontrollit.
Për shkak të situatës, qarkullimi i automjeteve në unazën e Shkozetit është bllokuar për të garantuar sigurinë dhe për të lehtësuar ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse.
Në vendngjarje ndodhen gjashtë mjete zjarrfikëse nga Durrësi, Porti i Durrësit dhe Shijaku, të cilat po punojnë për izolimin e flakëve dhe shmangien e përhapjes së tyre.
Si pasojë e zjarrit, qyteti i Durrësit dhe zona e plazhit kanë mbetur pa energji elektrike për më shumë se 20 minuta.
Deri tani nuk ka raportime për persona të lënduar, ndërsa autoritetet po punojnë për vënien nën kontroll të situatës dhe zbardhjen e shkakut të zjarrit.






