
Rusia ka ndërmarrë një sulm masiv me raketa dhe dronë ndaj disa qyteteve të Ukrainës gjatë natës, duke shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha materiale, ndërsa tensionet u shtuan edhe në Poloni pas raportimeve për rënien e një rakete pranë qytetit të Lublinit.
Sipas autoriteteve ukrainase, të paktën gjashtë persona humbën jetën në Kryvyi Rih, ndërsa viktima u raportuan edhe në Kiev dhe Poltava. Në rajonin e Khersonit, dy civilë u vranë nga sulmet me dronë rusë, ndërsa dhjetë të tjerë mbetën të plagosur.
Sulmet goditën gjithashtu qytete të tjera, përfshirë Lvivin, ku u dëmtuan ndërtesa banimi.
Ndërkohë, në Poloni, ushtria njoftoi se rreth orës 03:40 u zbulua një objekt i paidentifikuar që hyri në hapësirën ajrore të vendit. Për identifikimin e tij u ngrit menjëherë një avion luftarak F-16, por objekti u zhduk nga radarët vetëm pak minuta më vonë.
Një helikopter ushtarak Mi-24 identifikoi më pas vendin e mundshëm të rënies së objektit pranë fshatit Tarnawa-Kolonia, në rajonin e Lublinit, ku vijojnë hetimet dhe operacionet e sigurisë.
Sipas medias polake Wirtualna Polska, burime qeveritare dyshojnë se objekti i rrëzuar është një raketë ruse. Ekspertët xhenierë po analizojnë mbetjet për të konfirmuar origjinën e saj.
Sulmi rus ndodhi vetëm pak orë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kishte paralajmëruar se Moska po përgatiste një ofensivë ajrore në shkallë të gjerë dhe kishte kërkuar nga aleatët perëndimorë shtimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore Patriot.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ka marrëdhënie të mira si me Vladimir Putinin ashtu edhe me Volodymyr Zelenskyn, duke përsëritur se dëshiron përfundimin sa më të shpejtë të luftës.






