
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, e cilësoi arrestimin e biznesmenit Ermal Beqiri në Francë si “një lajm të mirë për taksapaguesit shqiptarë” dhe “një lajm të keq për Edi Ramën dhe bandën e tij”, duke deklaruar se “po u shtrëngohet laku”.
Në një deklaratë për mediat, Këlliçi akuzoi Beqirin se ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit në, sipas tij, “uzurpimin e AKSHI-t”, duke pretenduar se ka kryer shantazhe, vjedhje parash dhe të dhënash personale.
Demokrati tha se Beqiri duhet të hetohet jo vetëm për çështjet që lidhen me fondet publike dhe të dhënat e qytetarëve shqiptarë, por edhe për dyshimet e ngritura nga autoritetet franceze pas fluturimit të avionit të tij mbi një central bërthamor.
“Ermal Beqiri duhet hetuar jo vetëm si ushtar i Ramës, por edhe si agjent ndërkombëtar”, deklaroi Këlliçi, duke shtuar se rasti kërkon një hetim të plotë.
Ai publikoi gjithashtu dokumente që, sipas tij, i përkasin kompanisë “Fly Solution”, të regjistruar në Slloveni nga Ermal Beqiri, duke pretenduar se ajo zotëron dy avionë privatë, njëri prej të cilëve është përdorur në momentin e arrestimit në Francë.






