Sekretariati i Etikës ka vendosur përjashtimin me 60 ditë nga punimet e Kuvendit të kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, pas incidentit të ndodhur gjatë seancës plenare, ku ai mori dhe nxori jashtë sallës një dokument të klasifikuar që lidhej me marrëveshjen Shqipëri-SHBA për financimin e pajisjeve ushtarake.

Kërkesa për masën disiplinore u paraqit nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, i cili argumentoi se deputetët ishin paralajmëruar se dokumenti kishte përmbajtje konfidenciale dhe duhej të lexohej vetëm brenda sallës së posaçme, pa u larguar prej saj.

Socialistët pretendojnë se veprimi i Shehajt përbën shkelje të rregullores së Kuvendit dhe të legjislacionit për informacionin e klasifikuar. Ata theksuan gjithashtu se gjatë incidentit një punonjëse e Kuvendit u rrëzua në shkallë ndërsa përpiqej të ndalonte largimin e deputetit me dokumentin.

Për shkak se sesioni parlamentar ka përfunduar, masa disiplinore do të zbatohet në nisje të sesionit të ri, në muajin shtator.

Sekretariati i Etikës nuk mori vendim për kërkesën e socialistëve që çështja t’i referohej SPAK-ut. Megjithatë, deputeti i PS-së Ulsi Manja deklaroi se grupi parlamentar socialist do të depozitojë vetë kallëzim penal.

Sipas Manjës, organet e drejtësisë duhet të vlerësojnë nëse veprimet e Shehajt përbëjnë shkelje penale, duke përfshirë nxjerrjen e një dokumenti të klasifikuar jashtë ambienteve ku lejohej konsultimi i tij.

Nga ana tjetër, Partia Socialiste pretendon se rasti duhet të hetohet për disa vepra penale, ndërsa SPAK pritet të vendosë nëse do të nisë ose jo procedurat përkatëse.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu