
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste i ka kërkuar Kryesisë së Kuvendit përjashtimin për 60 ditë të deputetit të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, pas incidentit të ndodhur gjatë shqyrtimit të marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara për pajisjet ushtarake. Mazhoranca ka kërkuar gjithashtu referimin e rastit në Prokurorinë e Posaçme (SPAK).
Sipas kërkesës së socialistëve, Shehaj mori kopjen fizike të dokumentit të klasifikuar dhe u largua nga ambientet e Kuvendit, pavarësisht se dokumenti mund të konsultohej vetëm në sallën e posaçme, pas nënshkrimit të një deklarate konfidencialiteti.
PS pretendon se deputeti refuzoi kërkesat e administratës për ta kthyer dokumentin dhe se gjatë incidentit një punonjëse e Kuvendit u rrëzua në shkallë, duke pësuar lëndime.
Në kërkesën drejtuar Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, socialistët argumentojnë se veprimet e Shehajt përbëjnë shkelje të rëndë të legjislacionit për informacionin e klasifikuar dhe kërkojnë që rasti të hetohet nga SPAK për disa vepra të mundshme penale, përfshirë marrjen e paligjshme të informacionit të klasifikuar, pengimin e detyrës së funksionarit publik dhe vepra të tjera që lidhen me sigurinë kombëtare.
Lidhur me ngjarjen reagoi edhe kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili deklaroi se Agron Shehaj “duhet arrestuar në flagrancë për shkelje të ligjit”. Sipas Ballës, marrja e dokumentit të klasifikuar dhe agresioni ndaj një punonjëseje të administratës përbëjnë vepra penale që duhet të hetohen nga organet kompetente.
Nga ana tjetër, Agron Shehaj ka deklaruar se e mori dokumentin për të denoncuar mungesën e transparencës në procedurën e ndjekur për miratimin e marrëveshjes.






