Një debat për një prekje të rastësishme në shpatull ka përfunduar me tre të rinj të plagosur me thikë në Durrës.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës në lagjen nr. 13, ku dy grupe adoleshentësh u përfshinë fillimisht në një debat verbal, që më pas degradoi në përleshje fizike dhe përdorim të mjeteve prerëse.

Sipas të dhënave paraprake, konflikti nisi pasi njëri prej të rinjve preku pa dashje në shpatull një anëtar të grupit tjetër, i cili reagoi duke e pyetur: “Pse më preke?”. Debati u përshkallëzua brenda pak çastesh.

Si pasojë e sherrit, u plagosën tre të rinj, të moshave 18, 19 dhe 20 vjeç. Ata u transportuan në Spitalin Rajonal të Durrësit, ku dy prej tyre vijojnë të marrin trajtim në repartin e kujdesit intensiv, ndërsa 19-vjeçari është larguar pas marrjes së ndihmës mjekësore.

Policia ka identifikuar si autorë të dyshuar një 19-vjeçar dhe një 15-vjeçar, të cilët janë shpallur në kërkim. Hetuesit po punojnë gjithashtu për identifikimin e një personi tjetër që dyshohet se ka marrë pjesë në konflikt.

Grupi hetimor vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e të gjithë personave të përfshirë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu