
Kuvendi Kombëtar i Protestës u zhvillua këtë të shtunë mes tensioneve dhe përplasjeve verbale mes pjesëmarrësve, ndërsa nuk munguan kundërshtimet për mënyrën e organizimit të mbledhjes.
Gjatë takimit, siç raporton Top Channel. disa të pranishëm shprehën pakënaqësi për përbërjen e sallës dhe mënyrën e përzgjedhjes së pjesëmarrësve, duke pretenduar se shumë prej protestuesve nuk ishin njoftuar për zhvillimin e kuvendit.
Po ashtu, pati debate edhe për të drejtën e fjalës. Organizatorët deklaruan se mbledhja do të zhvillohej sipas rendit të ditës dhe se nuk do të lejonin ndërprerjen e saj, ndërsa moderatorja theksoi se kuvendi ishte i hapur për të gjithë qytetarët.
Në një moment, një prej organizatorëve reagoi ashpër ndaj kundërshtimeve nga salla, çka shkaktoi reagime të tjera mes pjesëmarrësve.
Një tjetër incident u regjistrua kur një qytetar u ul në rreshtin e parë, ndërsa disa persona tentuan ta largonin, por ai refuzoi të lëvizte nga vendi.
Pas qetësimit të situatës, organizatorët vijuan diskutimet mbi hapat e ardhshëm të lëvizjes, duke theksuar se protesta duhet të shkojë përtej tubimeve në shesh dhe të prodhojë rezultate konkrete.






