
Hetimet për atentatin ndaj 50-vjeçarit Thimjo (Sandër) Rubati në Sarandë janë përqendruar në disa pista, ku më kryesoret lidhen me konflikte të mëparshme, larje hesapesh dhe mosmarrëveshje për çështje pronësie.
Sipas burimeve hetimore, është lënë në plan të dytë pista që e lidhte ngjarjen me konfliktin e ndodhur një natë më parë mes djalit të Rubatit dhe një efektivi policie. Hetuesit dyshojnë se ai episod mund të jetë përdorur për të devijuar vëmendjen nga motivet e vërteta të atentatit.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së premtes në lagjen nr. 4 të Sarandës. Dy autorë të maskuar, që lëviznin me motomjet, iu afruan Rubatit pranë biznesit të tij dhe hapën zjarr me armë zjarri të kalibrit 9 mm.
Sipas të dhënave paraprake, ndaj tij u qëlluan rreth nëntë plumba, ndërsa 50-vjeçari mori tre plagë dhe u transportua fillimisht në spital për ndihmë mjekësore.
Hetuesit po verifikojnë gjithashtu informacionet se autorët, pasi u larguan me motomjet nga vendi i ngjarjes, mund të kenë përdorur një mjet lundrues për t’u larguar nga zona.
Nga verifikimet rezulton se Thimjo Rubati është një emër i njohur për autoritetet. Ai ka qenë i dënuar në Greqi për një çështje të lidhur me vrasje dhe në Shqipëri është dënuar për kontrabandë automjetesh. Po ashtu, në vitin 2024 u procedua sërish për trafikim automjeti dhe ndërhyrje në elementët identifikues të tij.
Edhe djali i tij, Andrea Rubati, rezulton me precedentë penalë dhe, sipas burimeve policore, është shpallur në kërkim për një konflikt të fundit me një oficer policie.
Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e autorëve dhe dokumentimin e plotë të motiveve të atentatit.






