
Një 37-vjeçar është arrestuar nga Policia e Korçës, pasi dyshohet se plagosi me mjet prerës djalin 18-vjeçar të bashkëjetueses së tij.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 21:55, në spital u paraqit me dëmtime në kokë shtetasi me inicialet A. S., rreth 18 vjeç. Nga të dhënat paraprake rezulton se ai u plagos gjatë një konflikti për motive të dobëta me njerkun e tij, shtetasin N. B., 37 vjeç.
Pas ngjarjes, autori i dyshuar u largua nga vendi i konfliktit, por u lokalizua dhe u vu në pranga falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë.
37-vjeçari është shoqëruar në Komisariat për kryerjen e veprimeve procedurale, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.






