
Një skandal me fondet e pensioneve dhe ndihmës sociale ka çuar në arrestimin e tre punonjëseve të Postës Shqiptare në Durrës, të dyshuara për përvetësimin e 69 milionë lekëve të rinj.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Filiali”, në pranga kanë përfunduar drejtoresha e filialit të Postës Shqiptare në Durrës, Elisabeta Mataj, shefja e financës Valbona Doni dhe arkëtarja Paola Dana.
Sipas hetimeve, gjatë muajve prill dhe maj 2026, tre të arrestuarat dyshohet se kanë përvetësuar shumën prej 69 milionë lekësh të rinj, para të destinuara për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmës sociale për qytetarët e degëve të Shijakut dhe Krujës.
Arrestimi i tyre është kryer në zbatim të një procedimi penal të regjistruar nga Prokuroria, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, të kryera në bashkëpunim.
Policia dhe Prokuroria bëjnë me dije se hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.






