
Ministri i Financave, Petrit Malaj, njoftoi se qeveria ka miratuar ndryshime në tre ligje të rëndësishme të sistemit financiar, me synim modernizimin e tregut dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Europian.
Sipas Malajt, ndryshimet prekin ligjin për sistemin e pagesave, ligjin për shërbimet e pagesave dhe ligjin për bankat, duke krijuar një kuadër më modern dhe më efikas për qytetarët dhe bizneset.
“Këto ndryshime i shërbejnë kuadrit të negociatave me Bashkimin Europian, që lidhet me lëvizjen e lirë të kapitalit. Ato sjellin përfitime për qytetarët përmes uljes së kostove të transaksioneve financiare, rritjes së mbrojtjes së konsumatorëve, si dhe nxisin konkurrencën dhe efikasitetin në treg”, deklaroi ministri.
Në të njëjtën mbledhje, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se është miratuar në parim marrëveshja për sigurimet shoqërore me Slloveninë, duke e çuar në 17 numrin e marrëveshjeve të nënshkruara nga Shqipëria. Ajo shtoi se janë në negociim edhe katër marrëveshje të tjera, të cilat do të mundësojnë njohjen e viteve të punës dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore për shqiptarët që kanë punuar jashtë vendit.






