
Teatri “Bylis” në Fier u mbush me familjarë, miq, kolegë dhe dashamirës të artit, të cilët i dhanë lamtumirën e fundit aktorit të njohur Todi Llupi, i ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare.
Atmosfera e homazheve u shoqërua me emocione dhe kujtime nga kolegët e tij, mes tyre Luftar Paja, Pëllumb Kulla dhe Arqile Lipe, të cilët e cilësuan largimin e Llupit një humbje të madhe për teatrin shqiptar.
Todi Llupi iu bashkua Estradës Profesioniste të Fierit në vitin 1971 dhe për dekada u bë një nga figurat më të dashura të skenës. Ai u dallua me dhjetëra role në teatër, ku më i njohuri mbetet personazhi i Malos në parodinë “Do martojmë Malon”, një nga veprat më të spikatura të Estradës së Fierit.
Përveç teatrit, Llupi interpretoi edhe në kinematografi. Ndër rolet e tij më të vlerësuara ishte ai i Remziut në filmin “Amnistia” të regjisorit Bujar Alimani. Edhe në vitet e fundit ai vijoi të ishte aktiv në skenë, duke interpretuar në komedinë satirike “Shshsh… ule zërin”, me tekst të Pëllumb Kullës dhe regji të Leka Bungos.
Për kontributin e tij në artin shqiptar, në vitin 1989 Todi Llupi u nderua me titullin “Artist i Merituar”, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar në historinë e teatrit dhe humorit shqiptar.



