Të paktën 27 persona humbën jetën dhe 22 të tjerë ndodhen në gjendje kritike pasi një zjarr i fuqishëm përfshiu një bar në Bangkok, kryeqytetin e Tajlandës, gjatë natës së së dielës.

Sipas autoriteteve, flakët shpërthyen pranë skenës së lokalit në distriktin e njohur Chatuchak dhe u përhapën me shpejtësi, duke ndërprerë energjinë elektrike dhe duke mbushur ambientin me tym. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë klientë që përpiqeshin të largoheshin mes flakëve, ndërsa disa prej tyre kishin rrobat e përfshira nga zjarri.

Zjarrfikësit mbërritën pak pas mesnatës dhe arritën ta vinin zjarrin nën kontroll brenda rreth 30 minutash. Shumica e viktimave u gjetën në një tualet, ku dyshohet se ishin strehuar për t’i shpëtuar tymit dhe flakëve.

Hetimet paraprake sugjerojnë se shkaku mund të ketë qenë një qark i shkurtër në sistemin e kondicionimit, megjithëse autoritetet theksojnë se shkaku zyrtar ende nuk është konfirmuar.

Kryeministri i Tajlandës, Anutin Charnvirakul, vizitoi vendngjarjen dhe tha se një muzikant që performonte në momentin e zjarrit i kishte rrëfyer se fillimisht u dëgjua një shpërthim, pas të cilit njerëzit u përpoqën të largoheshin nga tymi dhe flakët.

Sipas autoriteteve, në spital po trajtohen më shumë se 60 persona, ndërsa 22 prej tyre janë në gjendje kritike. Drejtori i Departamentit të Menaxhimit të Fatkeqësive në Bangkok deklaroi se shumica e viktimave dyshohet se humbën jetën nga asfiksia si pasojë e tymit.

Guvernatori i Bangkokut tha se materialet shumë të ndezshme në tavanin e lokalit mund të kenë ndihmuar përhapjen e shpejtë të flakëve. Po ashtu, raportimet paraprake flasin për persona të gjetur pa ndjenja pranë daljes emergjente, çka ngre dyshime se ajo mund të ketë qenë e bllokuar.

Autoritetet kanë nisur një hetim të plotë për zbardhjen e shkaqeve të tragjedisë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu