
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se më 14 korrik do të zhvillohet në Bruksel Konferenca e 9-të Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Europian, ku pritet të mbyllen provizorisht tre kapitujt e parë të negociatave të anëtarësimit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ironizoi deklaratat e opozitës për bllokimin e procesit të integrimit.
“Shqipëria nuk ndalet. Thanë negociatat u bllokuan; thanë Samiti i NATO-s u anulua; thanë qeveria u rrëzua; thanë ç’nuk thanë e gjë pa thënë s’do lënë, sepse puna e tyre janë llafet, ndërsa fjala jonë është puna”, shkroi kryeministri.
Lajmi vjen pasi Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të Bashkimit Europian (COREPER) miratoi Pozicionin e Përbashkët të BE-së për mbylljen provizore të negociatave për tre kapituj: Kapitulli 25 – Shkenca dhe Kërkimi, Kapitulli 26 – Arsimi dhe Kultura dhe Kapitulli 30 – Marrëdhëniet me Jashtë.
Sipas qeverisë, ky vendim vlerëson progresin e Shqipërisë në përafrimin me legjislacionin e Bashkimit Europian dhe zbatimin e reformave në këto fusha.
Mbyllja e Kapitullit 25 lidhet me zhvillimin e kërkimit shkencor, inovacionit dhe zbatimin e Strategjisë së Specializimit Inteligjent. Kapitulli 26 vlerëson përparimin në modernizimin e arsimit, formimit profesional, rinisë dhe kulturës, ndërsa Kapitulli 30 lidhet me harmonizimin e politikës së jashtme dhe tregtare të Shqipërisë me atë të Bashkimit Europian.
Konferenca Ndërqeveritare e 14 korrikut pritet të formalizojë mbylljen provizore të këtyre tre kapitujve, duke shënuar një tjetër etapë në procesin e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.






