
Franca konfirmoi statusin e saj si një prej favoriteve kryesore për të fituar Kupën e Botës 2026, pasi mposhti bindshëm Marokun me rezultatin 2-0 dhe u bë skuadra e parë që siguron një vend në gjysmëfinale. Sipas analizës së BBC Sport, forma e “Les Bleus” i bën ata ekipin për t’u mundur në këtë turne.
Skuadra e Didier Deschamps zgjidhi gjithçka në pjesën e dytë me golat e Kylian Mbappe dhe fituesit të “Topit të Artë”, Ousmane Dembele, duke dominuar ndeshjen ndaj Marokut.
Me këtë gol, Mbappe arriti në kuotën e tetë golave në Botërorin 2026, duke barazuar Lionel Messin në krye të renditjes së golashënuesve. Megjithatë, sulmuesi francez kryeson garën për “Këpucën e Artë” falë numrit më të madh të asistimeve. Ndërkohë, Dembele ka realizuar pesë gola në turne, duke bërë që Franca të bëhet vetëm kombëtarja e dytë në 50 vitet e fundit që ka dy futbollistë me të paktën pesë gola në të njëjtin Botëror.
Ish-mesfushori i Francës, Patrick Vieira, e cilësoi këtë brez si një nga më të talentuarit në historinë e futbollit francez.
“Kur sheh këtë skuadër dhe cilësinë e lojtarëve ofensivë, mund të jetë një nga ekipet më të mira që ka pasur ndonjëherë Franca”, u shpreh Vieira.
Edhe analistët e BBC-së vlerësojnë se Franca është skuadra më e kompletuar e turneut. Deri tani ka shënuar 16 gola, më shumë se çdo ekip tjetër, ndërsa ka pësuar vetëm dy gola në gjashtë ndeshje.
Në gjysmëfinale, Franca do të përballet me fituesen e çiftit Spanjë–Belgjikë, ndërsa synon të arrijë finalen e tretë radhazi në Kupën e Botës nën drejtimin e Didier Deschamps.






