
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaroi se autoritetet po hetojnë një aktivitet të dyshuar të koordinuar në internet, që synon dëmtimin e reputacionit të bizneseve turistike në Shqipëri përmes publikimit masiv të komenteve dhe vlerësimeve negative.
Në një konferencë për mediat, Hita bëri të ditur se deri më tani janë identifikuar mbi 10 mijë llogari me modele aktiviteti të dyshimtë, të cilat po verifikohen nga strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit.
Sipas tij, hetimet paraprake kanë evidentuar raste kur e njëjta llogari ka publikuar, brenda një kohe shumë të shkurtër, komente negative për hotele, restorante dhe biznese në qytete të ndryshme, si Tirana, Durrësi, Vlora, Saranda, Elbasani, Shkodra dhe Korça.
Hita tha se sinkronizimi i publikimeve, ngjashmëria e përmbajtjes dhe mënyra e shpërndarjes së tyre janë elemente që po analizohen për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një veprimtari të organizuar.
Kreu i Policisë theksoi se, nëse provohet që aktiviteti ka qenë i qëllimshëm, ai cenon jo vetëm interesat e bizneseve të prekura, por edhe konkurrencën e ndershme, besimin e konsumatorëve dhe imazhin e Shqipërisë si destinacion turistik.
Ai bëri të ditur se është urdhëruar intensifikimi i hetimeve për identifikimin e autorëve, gjurmimin e infrastrukturës teknike të përdorur, analizimin e lidhjeve mes llogarive dhe bashkëpunimin me platformat online dhe partnerët ndërkombëtarë.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë, pasi sipas Policisë ekzistojnë dyshime për vepra penale në fushën e krimeve kompjuterike dhe dëmtimit të interesave ekonomike.
Në përfundim, Hita u bëri thirrje administratorëve të hoteleve, restoranteve dhe subjekteve turistike që kanë konstatuar raste të ngjashme të paraqesin kallëzim pranë strukturave të Hetimit të Krimit Kibernetik dhe të ruajnë çdo provë elektronike që mund t’i shërbejë hetimit.






