
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj pretendimeve se shteti shqiptar ka financuar me 50 milionë euro koncertin e Kanye West, duke i cilësuar ato si shpifje dhe dezinformim.
Në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Rama akuzoi kundërshtarët politikë se po përdorin koncertin për të përhapur lajme të rreme dhe për të nxitur klimë përçarjeje.
“Koncerti i Kanye West është një ngjarje botërore, e cila financohet tërësisht nga sponsorët dhe shitja e biletave. Që në fillim kemi firmosur vetëm një letër gatishmërie si mikpritës, ku kemi garantuar sigurinë dhe mbështetjen logjistike, pa marrë përsipër asnjë angazhim financiar”, deklaroi Rama.
View this post on Instagram
Sipas tij, qeveria ndërhyri vetëm në momentet e fundit me një fond prej 4 milionë eurosh për të shmangur anulimin e koncertit.
“U detyruam vetëm mbrëmë të ndërhyjmë me 4 milionë euro, jo me 50 milionë, për të mos lejuar anulimin e një koncerti të shumëpritur dhe turpërimin e Shqipërisë përballë dhjetëra mijëra të huajve që kanë blerë bileta”, u shpreh kryeministri.
Rama theksoi se koncerti pritet të sjellë përfitime të konsiderueshme ekonomike për Tiranën dhe Shqipërinë, duke e krahasuar ndikimin e tij me finalen e UEFA Conference League.
“Dhjetëra mijëra konsumatorë të huaj do të sjellin një impakt ekonomik të menjëhershëm, ndërsa reklamimi global i Shqipërisë është një vlerë që do të mbetet edhe pas përfundimit të koncertit”, tha ai.
Kryeministri hodhi poshtë edhe pretendimet se stadiumi po ndërtohet mbi një zonë të gjelbër.
“Aty ka qenë vetëm një fushë ferrash, ku organizatorët identifikuan vendin më të përshtatshëm, në mungesë të një stadiumi me kapacitet të madh, për të ngritur një arenë për 60 mijë spektatorë”, deklaroi Rama.
Në fund të reagimit, kreu i qeverisë bëri dallimin mes protestuesve që, sipas tij, dalin për shqetësime reale dhe atyre që, sipas tij, përdorin protestën për qëllime politike.
“Problemi nuk janë flamingot. Problemi janë sorrat dhe korbat”, përfundoi Rama.






