
Një operacion i gjerë ndërkombëtar i koordinuar nga Europol ka çuar në arrestimin e 57 personave në shtatë vende europiane, të dyshuar si pjesë e një rrjeti online që planifikonte përdhunime ndaj bashkëshorteve dhe partnereve pasi ato drogoheshin.
Operacioni, i koduar “Medusa”, u zhvillua nën drejtimin e autoriteteve gjermane dhe britanike dhe kishte në fokus komunitete dixhitale ku ndaheshin udhëzime për kryerjen e dhunës seksuale brenda marrëdhënieve në çift.
Sipas Europol, aksioni u zhvillua mes 22 dhe 24 qershorit, duke çuar në identifikimin e 156 personave, mes viktimave dhe autorëve të dyshuar. Gjithashtu, u shpëtuan 158 gra dhe u identifikuan 274 pista të reja hetimore, si edhe katër komunitete online të panjohura më parë.
Hetimet zbuluan se të dyshuarit përdornin forume dhe biseda online për të shkëmbyer këshilla se si të drogonin partneret me ilaçe ose substanca narkotike për t’i abuzuar seksualisht. Në disa raste, aktet e dhunës dokumentoheshin dhe shpërndaheshin mes anëtarëve të rrjetit.
Operacioni është pjesë e Projektit “Medusa”, një nismë europiane e nisur në muajin prill për të luftuar rrjetet që lehtësojnë krimet seksuale të kryera nën ndikimin e substancave. Që nga nisja e projektit janë hapur 113 hetime në vendet pjesëmarrëse, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se hetimet do të vijojnë.



