
Një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë zonën mes fshatrave Drizë, Peshtan i Madh, Peshtan i Vogël, Myrtezaj dhe Plyg në Fier, duke detyruar autoritetet të evakuojnë 11 familje nga banesat e tyre.
Sipas Policisë, vatra e zjarrit nisi pranë vendit të quajtur “Azotiku”, në fshatin Drizë, dhe më pas u përhap drejt Qafës së Koshovicës, e favorizuar nga era e fortë dhe temperaturat e larta.
Në terren janë angazhuar forcat zjarrfikëse, dhjetëra efektivë të Policisë së Shtetit, Forcat e Posaçme “Shqiponja”, Policia Rrugore, Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Fier, si dhe helikopterë të Forcave të Armatosura që po ndërhyjnë nga ajri për izolimin e flakëve. Në gatishmëri ndodhet edhe ekipi i urgjencës së spitalit.
Për shkak të rrezikut, Policia ka bllokuar qarkullimin në të dy drejtimet në segmentin rrugor Qafa e Koshovicës–Cakran, ndërsa po monitoron vazhdimisht banesat dhe subjektet që mund të rrezikohen nga përhapja e zjarrit.
Deri tani nuk raportohet për persona të lënduar apo të asfiksuar. Një banesë u prek nga flakët, por ndërhyrja e shpejtë e shërbimeve bëri të mundur shuarjen e zjarrit, duke kufizuar dëmet vetëm në materiale.
Ndërkohë, specialistët e Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Fierit kanë shoqëruar dy persona të dyshuar për shkaktimin e zjarrit. Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.
Operacioni për shuarjen e plotë të flakëve vijon.






