
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar një ditë pas protestës kombëtare të zhvilluar në Tiranë, duke e cilësuar atë si një moment historik të ngjashëm me 20 Shkurtin e vitit 1991.
Në një video-mesazh, Berisha deklaroi se mijëra qytetarë nga Shqipëria dhe diaspora “i organizuan Edi Ramës funeralin e tij politik” përmes simbolikave të përdorura gjatë protestës.
Sipas tij, protestuesit përsëritën aktin simbolik të rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës në vitin 1991, duke e krahasuar me rrëzimin e bustit të Edi Ramës gjatë tubimit.
Berisha akuzoi kryeministrin se, në vend që të japë dorëheqjen, ka zgjedhur të sulmojë protestuesit dhe të minimizojë pjesëmarrjen në tubim.
Kreu i PD-së përsëriti kërkesën për dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës dhe për plotësimin e pesë kërkesave të protestuesve, të cilat, sipas tij, përkojnë edhe me qëndrimet e Partisë Demokratike.
Ai garantoi se PD do të vazhdojë të mbështesë protestën qytetare dhe akuzoi qeverinë për kërcënime dhe presion ndaj pjesëmarrësve në tubime.
Në fund të mesazhit, Berisha kërkoi lirimin e të arrestuarve gjatë protestave dhe i bëri thirrje kryeministrit të heqë dorë nga përdorimi i dhunës ndaj qytetarëve.






